Faqja kryesore e portalit > Baza e njohurive > Rregulla > Kush jane domainet .al qe nuk mund te rregjistrohen
Po citojme me poshte rregulloren e administrimit te emrave nen al.(RREGULLORE -“ Për Regjistrimin dhe Administrimin e Emrave të Domain-eve nën .AL dhe nën domain-et .gov.al, .mil.al, .edu.al, .com.al, .org.al dhe .net.al” - AKEP)
Zgjedhja e emrit të domain-it
(Nga Neni 18 fq 13)18.1 Aplikuesi ka të drejtë të zgjedhi si emër domain-i çdo lloj emri që dëshiron, përveçse atyre emrave që bëjnë pjesë në listën e emrave të ndaluar apo të rezervuar dhe të atyre që janë regjistruar më parë nga subjekte të parashikuara në Rregullore. Aplikuesi merr përsipër të gjitha përgjegjësitë që mund të rrjedhin për këtë zgjedhje, përveç periudhës kalimtare (sunrise period).
18.2 Lidhur me zgjedhjen e emrit të domain-it/ve, aplikuesi është i detyruar të zbatojë të gjitha deyrimet dhe kushtet e parashikuara në Rregullore.
Detyrimisht duhet që emri i zgjedhur të plotësojë këto kushte :
a) Emri të mos jetë në listen e “emrave të ndaluar” ;
b) Emri të mos jetë në listen e “emrave të rezervuar”;
c) Emri të jetë në përputhje me rregullat sintaksore (Neni 20);
d) Emri të mos cënojë të drejtat e palëve të tjera, në veçanti:
i. Të drejtën e autorit ( prona letrare dhe artistike dhe/ose prona industriale)
ii. Ligjin e konkurrences dhe sjelljet korrekte në marrëdheniet tregtare/biznesit;
e) Emrat të mos cënojnë moralin publik dhe rendin, dhe në veçanti të mos përfshijnë terma:
i. Që cënojnë lirinë dhe të drejtat themelore të njeriut, liritë dhe të drejtat vetjake, liritë dhe të drejtat politike, liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të parashikuara në Kushtetutë;
ii. Që mund të shkaktojnë ndonjë demtim lidhur me zhvillimin e minorenëve.
f) Emrat, duhet të jenë të ndryshëm nga emrat e ndarjeve administrative dhe territoriale sipas ligjit përkatës në fuqi të Republikës së Shqipërisë.Emrat e ndaluar dhe të rezervuar
(Nga Neni 19 fq 13-14)
19.1 Emra të ndaluar, konsiderohen emrat që sipas listës përkatëse në varësi të specifikës/natyrës së tyre, nuk mund të regjistrohen nga Autoriteti Përgjegjës si emra domain-esh.
19.2 Emra të rezervuar konsiderohen emrat që janë objekt regjistrimi me kushte të veçanta të lidhura me identitetin dhe kategorinë në të cilën klasifikohet aplikuesi.
19.3 Autoriteti Përgjegjës në përputhje me përcaktimet e bëra në këtë Rregullore, përgatit dhe publikon në faqen e Internetit www.ert.gov.al, listën e emrave të ndaluar dhe të rezervuar.
19.4 Emrat e “ndaluar” përfshijnë por pa u kufizuar ne to, emra me kuptim abuziv, ofendues, racist, fjalë që lidhen me krime apo sjellje të keqe si dhe ato të cilat janë në kundërshtim me zakonet e mira.
19.5 Disa shembuj të emrave të “rezervuar” janë: termat teknike të Internetit, emra që lidhen me veprime/operacione të shtetit, emrat e organizatave ndërkombëtare, emrat e qarqeve, prefekturave, bashkive, komunave, qyteteve, fshatrave, ndarjeve administrative të Shqipërisë, emrat e zonave/krahinave sipas emërtimeve të tyre popullore ose atyre të lashtësisë, si dhe monumente të kulturës apo natyrës të përcaktuara me ligj ose akte nën ligjore.
19.6 Lista e publikuar e emrave të ndaluar dhe rezervuar, përditësohet nga Autoriteti Përgjegjës mbi bazën e informacionit përkatës të marrë dhe arsyetuar në rrugë ligjore. Nuk përjashtohen rastet kur për shkaqet e mësipër të cituara Autoriteti Përgjegjës, në përgjigje të një aplikimi per regjistrimin e një emri të tille, të shprehë mosmiratimin e arsyetuar, pavarsisht mosprezencës së këtij emri në listën e publikuar.
19.7 Autoriteti Përgjegjës, lidhur me përcaktimin e listës së emrave të ndaluar dhe listës së emrave të rezervuar, bashkëpunon me Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Organet e pushtetit vendor, Institucionet e sistemit gjyqësor, institucione të tjera të percaktuara me ligj ose akte nënligjore, si dhe çdo institucion ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon.
19.8 Mosmarrëveshjet e ndryshme, që mund të lindin me të interesuarit dhe pasojat për shkak të tyre, lidhur me listën e emrave të ndaluar dhe rezervuar, nuk përbëjnë përgjegjësi ligjore për Autoritetin Përgjegjës.
19.9 Aplikuesi, të cilit i refuzohet nga Autoriteti Përgjegjës regjistrimi i emrit të domain-it të kërkuar, për shkak të përfshirjes së tij në listën e emrave të ndaluar apo të rezervuar (sipas pikës së mësipërme 19.6), ka të drejtën e ankimit pranë këtij autoriteti duke parashtruar faktet, kundërshtimet dhe pretendimet e tij për përfshirjen e emrit per te cilin aplikon në këtë listë brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit. Kërkesa, detyrimisht duhet të jetë e shoqëruar me arsyetimet përkatëse.
Rregullat sintaksore
20.1 Emër domain-i është tërësia e një serie karakteresh alfanumerike që përfshin shkronjat nga A deri tek Z, numrat nga 0 deri tek 9 dhe shenjën minus “-”.
20.2 Nga pikpamja sintaksore nuk mund të regjistrohen emrat e domain-eve të mëposhtëm kur:
a) Emrat përbëhen nga një karakter;
b) Emrat përbëhen nga dy karaktere;
c) Emrat fillojne ose mbarojne me minus “-”;
d) Emrat përbëhen nga më shume se 63 karaktere;
e) Emrat fillojnë me dy karaktere alfanumerike të çfarëdoshme të pasuara nga dy minuse( formati “xy--”).
Shtojeni tek favorites Printoni këtë artikull